Në vazhdim të vizitës së tyre në Bashkinë e Mallakastrës, Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri

Data e Aktivitetit: 
15/02/2017

Në vazhdim të vizitës së tyre në Bashkinë e Mallakastrës, Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri,  z. Christoph Graf,  Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, z. Claus Neukirch si dhe eksperti për çështje të demokracisë direkte, z. Andreas Gross, së bashku me kryetarin e Bashkisë ,z. Agron Kapllanaj zhvilluan një bashkëbisedim me banorë të njësisë administrative Kutë. Diplomatët u interesuan për nismën e ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare për ndërtimin e HEC- Poçem.  Gjatë takimit me banorë të njësisë administrative Kutë, njësi e cila preket nga ndërtimi i HEC-it, u dëgjuan mendimet e banorëve lidhur me këtë projekt. 

Qytetarët e pranishëm u shprehën kundër ndërtimit të hidrocentralit. Sipas tyre ndërtimi i tij mund të shkaktojë përmbytjen e sipërfaqes së tokës bujqësore që ata disponojnë e që është mjeti kryesor i jetesës për ta.“Toka bujqësore është e vetmja pasuri me të cilën ne mund të ushqejmë familjet tona”  - thanë banorët. Ata u shprehën njëzëri se hidrocentrali nënkuptonte shpërngulje të paevitueshme nga toka e gjyshërve e stërgjyshërve të tyre, gjë të cilën ishin të vendosur të mos e pranonin.”Ne jetojmë këtu prej shekujsh dhe po këtu kemi varret e të parëve tanë. Shkatërrimi i tokave tona dhe katastrofa mjedisore që po përgatitet janë të papranueshme!”-thanë shprehimisht banorët. Po kështu ata pohuan se plani për ndërtimin e HEC-it nuk ishte  konsultuar asnjëherë me ta. Përveç kësaj askush nuk kishte paraqitur ndonjë projekt, askush nuk kishte organizuar ndonjë takim apo debat  publik ,qoftë  nga Qeveria Qëndrore apo nga kompani të interesuara për ndërtimin e HEC-it. “ E vetmja shpresë për të shpëtuar nga katastrofa  është Bashkia Mallakastër dhe kryetari i saj, z. Agron Kapllanaj, i cili na ka mbështetur vazhdimisht në kauzën tonë të drejtë” - u shprehën banorët.

 Banorët e njësisë administrative Kutë falënderuan Ambasadorin e Zvicrës z. Graf  dhe shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, z. Neukirch, dhe kërkuan mbështetjen e tyre, për të mos lejuar  realizimin e këtij projekti.  Diplomatët ofruan mbështetje lidhur me transparencën e këtij projekti, si dhe mbrojtjen e mjedisit në këtë zonë. Kryetari i Bashkisë, z. Kapllanaj gjatë këtij bashkëbisedimi duke shprehur edhe njëherë mbështetjen e tij ndaj kauzës së banorëve të njësisë administrative Kutë, deklaroi  : “Unë do të jem me ju në çdo hap,pasi ju më keni besuar dhe braktisja nuk është në filozofinë time të të punuarit ”- theksoi ai. Në vazhdim të pranishmit vizituan edhe vendin në të cilin planifikohet të ndërtohet diga e hidrocentralit në Poçem të  Mallakastrës.

Në përmbyllje të takimit eksperti për çështjet e demokracisë direkte, z. Andreas Gross zhvilloi një bashkëbisedim me të zgjedhur dhe drejtues të bashkisë, duke sjellë eksperiencën zvicerane në përgatitjen dhe implementimin e demokracisë direkte. Bashkia Mallakastër me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri dhe Këshillit të Evropës është bashkia e parë e cila ka firmosur Memorandumin e Mirëkuptimit për realizimin e projektit pilot të demokracisë direkte. Takime periodike do të vazhdojnë nga eksperti për cështjet zgjedhore, z. Gross, me aktorë te shoqërisë civile, qytetarë dhe drejtues të Bashkisë Mallakastër gjatë muajve në vijim.

Foto nga aktiviteti