Trajnimi I Ekipit Teknik Multidisiplinar Në Bashkinë Mallakastër

Data e Aktivitetit: 
12/04/2018

Anëtarët e Ekipit Teknik Multidisiplinar të Mekanizmit të Koordinimit dhe Referimit të rasteve të dhunës në familje në Bashkinë Mallakastër morën pjesë në një trajnim mbi kuadrin ligjor në adresimin e dhunës në familje, zbatimin e legjislacionit, përgjegjësitë ligjore për secilin institución dhe sfidat në menaxhimin e rasteve të dhunës në familje. Organizimi i aktivitetit u mbështet nga nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) me fonde të Qeverisë Suedeze. Përgjegjësi i Zyrës së Shërbimeve Sociale në Bashki, Koordinatorja vendore kundër dhunës në familje, Përfaqësues të Prefekturës, oficeri i Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Mallakastër, përfaqësues të Drejtorisë së Shëndetit Publik, mjeke e spitalit, përfaqësues të Zyrës Vendore të Punës, Përfaqësues të Njësisë Administrative Fratar, psikologe e Zyrës Arsimore, psikologe e shkollave, konsulentja e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) diskutuan mbi sfida konkrete në menaxhimin e rasteve të dhunës në familje. Dosja e trajnimit ishte përgatitur me shumë kujdes nga koordinatorja vendore kundër dhunës në familje Zj. Jonida Llaka e cila kishte përfshirë në materialet e trajnimit ushtrime, të dhëna statistikore mbi menaxhimin e rasteve, raste suksesi, raste për studim, skemën e menaxhimit të rasteve të dhunës në familje bazuar edhe në shërbimet ekzistuese, material mbi rekomandimet e GREVIO për Shqipërinë të Nëntorit 2017, etj. Z.Bilbil Makri officer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër ndau për pjesëmarrësit menaxhimin e rastit Q.M., duke bashkëpunuar me sukses jo vetëm me aktorët në Mallakastër por edhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, ekspertin mjeko ligjor, Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, etj. Për këtë rast është përdorur jo vetëm legjislacioni penal dhe ka filluar ndjekja penale por në të njëjtën kohë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka lëshuar Urdhrin e Menjëhershëm të Mbrojtjes. Në trajnim u sugjerua afishimi i informacionit mbi shërbimet ekzistuese në të gjitha institucionet përgjegjëse, buxhetimi i prioriteteve në adresimin e dhunës në familje, vazhdimi I punës me menaxhimin e rasteve të dhunës në familje pavarësisht përfundimit të zbatimit të projektit nga Bashkia Mallakastër me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) me fonde të Qeverisë Suedeze.

Foto nga aktiviteti